Bashkim - Organizim - Rezistencë
DEKLARATË THEMELUESE E GRUPIT TË PUNËS PËR KRIJIMIN E KUVENDIT KOMBËTAR QYTETAR
PREAMBULA
Duke marrë në konsideratë nevojën për forcimin e demokracisë direkte dhe krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm për përfshirjen e qytetarëve në proçeset e vendimmarrjes;
Duke u udhëhequr nga bindja se qytetarët kanë jo vetëm të drejtën për të shprehur pakënaqësinë e tyre përmes protestës paqësore, por edhe përgjegjësinë për të kontribuar në ndërtimin e alternativave për qeverisjen dhe zhvillimin demokratik të vendit;
Duke vlerësuar domosdoshmërinë e krijimit të një institucion shoqëror të pavarur, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të organizimit qytetar, në funksion të dialogut, bashkëpunimit dhe hartimit të reformave dhe politikave në interes të publikut;
Të udhëhequr nga bindja se shteti duhet t’u shërbejë qytetarëve dhe interesit publik, dhe jo interesave të ngushta politike, ne bashkohemi për të ndërtuar një kulturë të re të llogaridhënies, drejtësisë dhe pjesëmarrjes qytetare. Për këtë qëllim “Grupi i Punës për krijimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar” i paraqet “Asamblesë Themeluese” këtë projekt-Deklaratë Themeluese për shqyrtim, amendim dhe miratim.
1. Qëllimi i deklaratës
Kjo Deklaratë përcakton identitetin, parimet, misionin, vizionin, rolin dhe objektivat themelore të Kuvendit Kombëtar Qytetar dhe përbën dokumentin themelor, politik dhe programor mbi të cilin mbështetet procesi i krijimit, organizimit dhe zhvillimit të Kuvendit Kombëtar Qytetar
2. Kush jemi
Me këtë Deklaratë, aktivistët dhe qytetarët nismëtarë shprehin vullnetin për krijimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar si një institucion shoqëror, të pavarur dhe gjithëpërfshirës, me qëllim forcimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën publike dhe kontributin në zhvillimin demokratik të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës dhe interesit publik. Veprimtaria e tij do të jetë e hapur për pjesëmarrjen e qytetarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.
3. Parimet tona
a) Sovraniteti buron nga populli;
b) Demokracia nuk kufizohet vetëm në zgjedhje;
c) Pjesëmarrja qytetare është e drejtë dhe përgjegjësi;
d) Shteti i së drejtës është themeli i Republikës;
e) Interesi publik mbizotëron mbi interesat private por pa e cënuar individin;
f) Transparenca dhe llogaridhënia janë kushte të qeverisjes demokratike;
g) Mendimi ndryshe respektohet;
h) Kuvendi është i pavarur nga partitë politike dhe çdo interes i veçantë.
i) Kuvendi u përket të gjithë qytetarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.
4. Misioni ynë
Të krijojmë një institucion shoqëror të përhershëm qytetar i cili përmes përqëndrimit të vullnetit popullor të pengojë padrejtësitë nga qeveria ose nga grupe të tjera që cënojnë interesin e shqiptarëve, si dhe të krijojë kushte e mundësi për dialog, bashkëpunim, demokraci direkte dhe për hartimin e alternativave kushtetuese, ligjore, institucionale dhe të politikave publike në shërbim të interesit publik.
5. Vizioni ynë
Ne besojmë në demokraci të drejtpërdrejtë dhe në një Republikë ku qytetarët nuk janë vetëm votues apo protestues, por pjesëmarrës të përhershëm në ndërtimin, monitorimin dhe përmirësimin e institucioneve demokratike.
6. Roli ynë
Kuvendi Kombëtar Qytetar:
a) bashkon qytetarë, aktivistë, ekspertë dhe profesionistë të angazhuar në mbrojtje të interesit publik;
b) krijon hapësira dialogu, konsultimi, vendimmarrjeje dhe bashkëpunimi qytetar;
c) harton dhe promovon alternativa për reforma demokratike;
d) promovon dhe zhvillon mekanizma të pjesëmarrjes qytetare dhe demokracisë direkte;
e) monitoron çështjet me interes publik dhe veprimtarinë e institucioneve;
f) kontribuon në forcimin e kulturës demokratike, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies publike;
g) ushtron presion qytetar demokratik, nëpërmjet mekanizmave të demokracisë direkte dhe formave të tjera të pjesëmarrjes qytetare, për realizimin e objektivave me interes publik;
h) thërret, mbështet dhe koordinon Protestën Kombëtare, protesta të tjera lidhur me kauza kombëtare e lokale dhe forma të tjera të veprimit qytetar për mbrojtjen e interesit publik dhe realizimin e misionit dhe objektivave të tij.
7. Objektivat
Për realizimin e misionit të tij, Kuvendi Kombëtar Qytetar angazhohet të promovojë dhe të kontribuojë në realizimin e objektivave të mëposhtëm:
7.1 Objektivat prioritare
Në përgjigje të krizës së legjitimitetit institucional dhe në përputhje me kërkesat e artikuluara nga lëvizja qytetare dhe Protesta Kombëtare 2026, Kuvendi Kombëtar Qytetar angazhohet të veprojë brenda mundësive të tij për të imponuar :
a) dorëheqjen e Kryeministrit dhe të kabinetit qeveritar;
b) rivendosjen e legjitimitetit demokratik të institucioneve shtetërore;
c) krijimin e një qeverie teknike tranzitore, me mandat të kufizuar për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme;
d) garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të barabarta dhe konkurruese, në përputhje me standardet demokratike.
e) zhbërjen e Sistemit të Vjetër 82 vjeçar dhe zëvendësimin e tij me një sistem shoqëror politik shoqërizhvillues përparimtar.
7.2 Objektivat strategjike
Kuvendi angazhohet të bëhet promotor aktiv në:
a) hartimin e një Kushtetute të re, të miratuar me referendum popullor;
b) reformimin e Kodit Zgjedhor dhe të legjislacionit për partitë politike;
c) forcimin e mekanizmave kushtetues të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve;
d) garantimin e mbrojtjes së pasurisë publike, burimeve natyrore, mjedisit dhe trashëgimisë kulturore kombëtare;
e) forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e llogaridhënies së institucioneve publike.
7.3 Objektivat afatgjata
Kuvendi synon:
a) hartimin, promovimin dhe mbështetjen e një pakete të integruar reformash kushtetuese, ligjore dhe institucionale, të bazuara në parimet e shtetit të së drejtës, interesit publik, demokracisë pjesëmarrëse dhe sovranitetit të popullit, si dhe propozimin e rishikimit ose shfuqizimit të legjislacionit që cënon këto parime.
b) zhvillimin e demokracisë pjesëmarrëse dhe të mekanizmave të përhershëm të konsultimit qytetar;
c) nxitjen e kulturës së dialogut, përgjegjshmërisë dhe pjesëmarrjes aktive të qytetarëve;
d) ndërtimin e një rrjeti të qëndrueshëm të organizimit qytetar në nivel kombëtar, vendor dhe në diasporë, si mekanizëm i përhershëm i demokracisë pjesëmarrëse;
e) forcimin e mekanizmave të demokracisë së drejtpërdrejtë, përfshirë të drejtën efektive të qytetarëve për të kërkuar dhe zhvilluar referendume për çështje me interes publik, vendor ose kombëtar.
8. Instrumentet e veprimit
Për realizimin e misionit dhe objektivave të tij, Kuvendi Kombëtar Qytetar vepron nëpërmjet:
a) organizimit të qytetarëve në kuvende komunitare të demokracisë së drejtpërdrejtë dhe grupe tematike;
b) konsultimeve publike;
c) angazhimit të ekspertëve dhe profesionistëve;
d) hartimit të dokumenteve strategjike dhe propozimeve reformuese;
e) monitorimit të politikave publike dhe institucioneve;
f) trysnisë qytetare mbi institucionet shtetërore, dialogut me organizatat e shoqërisë civile dhe aktorët e tjerë shoqërorë.
9. Angazhimi
Kuvendi Kombëtar Qytetar angazhohet të ushtrojë veprimtarinë e tij në mënyrë të pavarur, demokratike, transparente dhe gjithëpërfshirëse, në shërbim të interesit publik dhe duke kontribuar në ndërtimin dhe zhvillimin demokratik të Republikës së Shqipërisë.
Kjo Deklaratë shpreh vullnetin e përbashkët të aktivistëve dhe qytetarëve që punuan për krijimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar si një institucion shoqëror të pavarur, demokratik dhe gjithëpërfshirës, në shërbim të interesit publik. Ajo përbën bazën politike, programore dhe orientuese të procesit të krijimit, organizimit dhe zhvillimit të Kuvendit Kombëtar Qytetar
